Mediu: Opozitës i duhet konsensusi, të kemi një kandidaturë për President….

Kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, u deklarua sot jashtë Kuvendit për procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës. Mediu tha se opozita ka nevojë të ketë së pari konsensus ndër vete dhe, nëse nuk arrihet të krijohet një përfaqësi negociatore e përbashkët, të paktën të arrihet tek një kandidaturë e përbashkët për President. Një kandidaturë që plotëson të gjitha kushtet për të qëndruar mbi palët” tha Mediu për gazetarët, duke shpjeguar se cili ka qenë diskutimi që ka bërë me deputetët, si me z. Bylykbashi, me z. Boçi, me z. Alibeaj dhe deputetë të tjerë.

Unë mendoj se përgjegjësia që kemi si deputetë, por edhe si opozitë, është që mundësisht në krye të shtetit, në pozicionin e Presidentit të Republikës të jetë një person që qëndron mbi palët që garanton apo është në funksion të unitetit të popullit. Procedura kushtetuese ka përcaktuar nevojën për konsensus dhe duke qenë se ka nevojë për konsensus, ky konsensus i parë duhet të jetë brenda opozitës. Nëse opozita nuk garanton një konsensus mes vetes, është e kotë që të negociojmë me mazhorancën.

Ne jemi të qëndrimit të Aleancës për Ndryshim, ku duhet të vijnë të gjitha palët. E para, të kemi një përfaqësi negociatore të përbashkët, por nëse nuk do të mundemi të kemi një përfaqësi, të kemi një figurë të përbashkët për të cilën të biem dakord, se po flasim për Presidentin e Republikës, jo për protagonizëm politik të palëve. E kam thënë, kemi qenë të hapur se do të marrim çdo lloj qëndrimi për të pasur një proces negociator të unifikuar. Nëse nuk kemi arritur tek ajo pikë, të paktën të arrijmë që të kemi një kandidaturë të përbashkët dhe besoj duhet ta kemi edhe kthjelltësinë edhe mundësinë për të gjetur një kandidaturë të përbashkët.

Leave a Reply

Your email address will not be published.