Berisha akuza qeverisë : Cmimet janë rritur nga vjedhja dhe babëzia qeveritare….

Ish-kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm në një tryezë të organizuar për çështjen e krizës së rëndë energjetike. Berisha tha se Shqipëria e ka potencialin për të mos e ndjerë shumë krizën në Ukrainë. Por ai shtoi se çmimet janë rritur nga vjedhja dhe babëzia qeveritare. Gjithashtu lideri historik i demokratëve, Sali Berisha, denoncoi skandalin e Edi Ramës me çështjen e gazifikimit të vendit.

Ish-kryeministri theksoi se dy faktorë po gllabërojnë energjinë në mënyrë të paligjshme: minierat e monedhave virtuale dhe serat e kanabisit. Berisha tha se të dyja kanë lidhje direkte me qeverinë. Fjala e ish-kryeministrit Sali Berisha në takimin me ekspertët për energjinë, në selinë e PD-së: Së pari ju falenderoj për praninë tuaj këtu në këtë takim, për një problem themelor të Shqipërisë, të Europës, problem që ka qenë gjithnjë problem kardinal.

Tani në hijen e luftës, agresionit rus ndaj Ukrainës, ka marrë përmasa edhe më të mëdha.

Shqipëria është vendi i vetëm në Europë që ka 3-4 fishuar çmimin e energjisë për bizneset dhe premton të rrisë në mënyrë absurde çmimin e energjisë edhe për konsumatorët. Shqipëria është vendi i vetëm në Europë që takson naftën mbi 1 euro, që prodhon 1 milion ton dhe është një nga 2-3 shtetet që ka çmimet më të larta në Europë.

Shqipëria nuk është një ishull, është pjesë e kontinentit. Megjithë këtë, në rrafshin e energjisë dhe prodhimit të saj, Shqipëria është vendi që duhet të ndjente më pak se çdo vend tjetër, ndikimin mbi energjetikën e kontinentit të agresionit rus mbi Ukrainën, mbasi energjia e saj në masën 96-98% është tërësisht ujore. Jo vetëm ujore, por ajo prodhohet me kosto më të ulët se në çdo vend tjetër të kontinentit.

Së treti, prodhimi i energjisë në Shqipëri gjatë vitit 2021 është më i larti, rekord historik, është 8.9 miliardë kë/orë. Pra, duke patur parasysh këto faktorë dhe nëse analizojmë qëndrimin në menaxhimin e rezervës ujore të kaskadës, konstaton lehtësisht se shkaku më themelor i krizës energjetikë në Shqipëri nuk është moti, nuk është lufta, por është absolutisht plaçkitja, grabitja, vjedhja në këto sipërmarrje. Shqipëria , nuk besoj të ketë vend tjetër që zbraz digat në kundërshtim me ligjet e saj dhe shet energjinë në emër të liberalizimit të tregut me 42 euro kur ajo në bursë, në të njëjtën ditë, është 130 euro, siç ka ndodhur gjatë verës. Apo blen energji me 300 euro në një kohë kur atë ditë për furnizimin e së cilës është blerë energjia në bursë me 150 euro. Pra, kemi të bëjmë me një rritje çmimesh të diktuara tërësisht nga keqmenaxhimi dhe vjedhja.

Unë ju them ju se ai që shiti energjinë me 42 euro, në një kohë kur në bursë kuotohej me 130 euro. Ai këtë energji që bleu apo që shiti me 42, ndau para me blerësin, sepse ai ia shiti dikujt me çmimin e bursës. Pra, kemi të bëjmë me një menaxhim kleptokratik të këtyre sipërmarrjeve publike, të cilat de facto sot janë të falimentuara, sepse borxhi i tyre ka kaluar 1 miliard euro. Por, çfarë qëndron tjetër në themel të kësaj krize? Në themel të kësaj krize është qëndrimi i papërgjegjshëm i kësaj qeverie e cila në 9 vite nuk ka siguruar një burim të vetëm energjie përveç burimeve ujore të kontraktuara më parë. Në një kohë kur potencialet i kishte të jashtëzakonshme. Në një kohë kur kjo qeveri trashëgoi në hidro rreth 170 kontrata për ndërtimin e 432 HEC-ve në mbarë vendin. Unë nuk them të mos ndiqte çuarjen më tej të shfrytëzimit të burimeve ujore, por përparësia e saj absolute duhet të ishte diversifikimi i burimeve energjetike. Rrallë mund të ketë ndonjë vend me potenciale të jashtëzakonshme të Shqipërisë me diversifikim, një vend që renditet i dyti apo i treti në Mesdhe dhe në Europë për ditët me diell. Një vend i cili ka terrenet ujore dhe tokësore më të përshtatshme me panele. Një vend i cili 9 vite, përveç paneleve flotante të Statkraft në liqenin e Banjës nuk ka realizuar asgjë. Ka listuar një listë të parë që është voltaike, por s’ka filluar puna për ndërtimin e asnjërit prej tyre. Ka përjashtuar kompani gjigante të cilat në çdo aspekt, kishin çdo potencial për përmbushjen e kontratës. Dhe ndonëse fituese, Statkrafti në garë fotovoltaike, fituesja e qartë u skontua për faktin e vetëm se Statkrafti zarfe nuk praktikon.

Është një kompani lider në vendin e vet, energji, e cila iu përmbahet rregullave më serioze të transparencës dhe funksionimit. Por Shqipëria ka platformat e erës ndër më të fuqishmet në Europë, ka një atlas erërash kush e di sa vite, i cili dëshmon se Karaburuni është një nga platformat e erës më të fuqishme. Por platformë e fuqishme ere është gryka e Tepelenës, rrafshnalta e Pukës, janë me dhjetëra zona të tjera të cilat u studiuan, por patën një tërheqje sepse u tërhoq Bashkimi Europian në një farë mënyre nga subvencionimi i energjisë gri. Kurse vitet më vonë ato u bënë përsëri aktuale të vlefshme, të dobishme për investime. Ato janë të studiuara, parqe gjigante erërash, të cilat shtrihen nga Puka e deri afër Kukësit. Projekte të studiuara vite dhe vite nga kompani. Unë nuk them se ato kompani do të mund t’i dilnin zot atij projekti, por ato kompani mund t’ia shisnin atë projekt kompanive të tjera.

Shqipëria ka detin dhe tokën të studiuar për erën, pro asgjë nuk ka lëvizur. Shqipëria ka potencialin më të madh energjetik se në çdo vend tjetër, pas fillimit të gazsjellësit TAP.

Gazsjellësi përbën projektin më të madh të viteve në Europë. Qëndrimi i tyre ndaj gazsjellësit ka qenë fund e krye korruptiv, jo në raport me gazsjellësin, por në raport me klientelën e gazit në Shqipëri. Kontrata e votuar në Parlament dhe e publikuar në Fletoren Zyrtare në vitin 2013 ka përcaktime të qartë ligjore, është ligj, në përputhje me të cilat konsorciumi i ndërtimit është i detyruar të lërë dalje në Seman për Shqipërinë.

Dhe jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin. Këtu qëndron fakti se Shqipëria bëhet një vend nevralgjik për furnizimin e Europës me gaz. Parashikimi i qartë ka qenë se rajoni, gazin do ta merrte nga TAP, ndaj dhe Europa parashikoi ndërtimin e gazsjellësit TAP pa burim gazi. Burimi kryesor i tij do të ishte TAP. Çfarë ndodhi? Si u sollën këta me TAP? Dua të theksoj një gjë tjetër shumë të rëndësishme, për rolin e Shqipërisë. Shqipëria në këtë gazsjellës ka fatin të jetë vendi i depozitave ndër më të mëdhatë në Europë të gazit. Është parashikua gjerësisht që këto depo gjigante gazi do të jenë në Dumre, e studiuar gjerësisht për shpellat e saj gjigante në thellësi të madhe, me kupolë kripe. Dhe ky dimension është shumë i rëndësishëm. Kjo e bëri Shqipëri shumë tërheqëse për TAP-in, sepse në kushte të përcaktuara të KE rezervat e gazit janë konditë e domosdoshme, ekzistenca e tyre.

Ne, përveçse në Patos ose në Fier, ne nuk kemi instalime të përdorimit të gazit në familje. Çfarë u bë? U vendos që të bëhet masterplani i gazifikimit të Shqipërisë dhe u diskutua e u ra dakord me Soccar, kompani azere, që është aksionere e konsorciumit qoftë e ndërtimit të TAP e fushës Shahdeniz për të na ndihmuar në projektin e gazifikimit të vendit. Në vitin 2014, Damian Gjiknuri ulet dhe firmos edhe njëherë për masterplanin e gazit me Soccar. Donte të shuante ato që ishin bërë më parë. Në vitin 2021, ministrja Balluku ulet dhe firmos të njëjtin protokoll që kishte firmosur Gjiknuri 7 vite më parë. Ua dhashë këtë shembull për ta ditur shqiptarët sa jo serioze ka qenë kjo qeveri në qëndrimin ndaj një problemi që është më themelor për ekonominë e një vendi dhe zhvillimin e një vendi. Përveç kësaj ne kishim të ndërtuar në Vlorë një TEC për hir të vërtetës të teknologjisë më të fundit me naftë, plotësisht të kthyeshëm në TEC me gaz dhe kjo në një kohë kur nuk flitej për TAP-in, fare.

Ky projekt ishte i qeverisë së mëparshme, i qeverisë së Fatos Nanos. Patëm disa kundërshtira për fituesin e tenderit sepse Siemens ankohej se nuk kishte patur transparencë, por Banka Botërore i dilte zot dhe ne i qëndruam dhe TEC u ndërtua. U bë prova shkëlqyeshëm, por kompania e ndërtimit bëri një gabim të pafalshëm në portilin e TEC-it, bëri një gabim trashanik. Ne i kërkuam BB që ishte institucioni që e kishte financuar dhe që kishte ndikuar mjaft veçanërisht te kompania që ishte, që çështja e portilit të zgjidhej. 50 m më tutje ishte portili i Albpetrol, ata s’kishin preferuar të përdorin portalin e Albeptrol, por kishin ndërtuar një të ri.

Çfarë ka pas 9 vitesh? Dua të sqaroj se TEC-i i Vlorës i ndërtuar me 115 milionë dollarë ishte tërësisht i kthyeshëm në gaz. Kjo me kontrata dhe me teknologji. Tani a mund të imagjinoni ju, në territorin shqiptar kalojnë 10 miliardë m3 gaz me TAP dhe qeveria shqiptare në vend se të shtrinte tubacionin nga TEC i Vlorës në Seman ku është edhe nyja e kompresimit, ku është edhe detyrimi kontraktual i TAP për të krijuar daljen e gazit në Shqipëri, qeveria shqiptare në vend që të marrë këto masa, shkon dhe kontrakton një kompani për gaz të lëngët i cili ka një kosto qartësisht më të lartë se gazi që sjell TAP. Dhe kur gjë bëhet publike në mashtrim e sipër, se Edi Rama edhe kur flet kalimthi mashtron, deklaroi se do të shtrojnë edhe tubin nga Semani në TEC. Pse nuk u bë kjo në 9 vite? 9 vite asnjë masë për diversifikimin e prodhimi të energjisë, një vend që kishte të gjitha potencialet.

Sot, vetëm energjia ujore prodhon 50% të asaj që prodhonte kaskada më parë, me HEC-e të tjera. Por sot ky prodhim mund të ishte shumëfishuar me burime të tjera. Do të ndalem pak tek LNG, Shqipëria ka qenë në tratativa shumë serioze me Katarin, për ndërtimin e një Hab-i të madh rajonal të LNG dhe rigazifikimit, rikthimit të tij për eksport në rajon. Shumë gjëra i dikton çmimi i naftës në politikat energjetike. TAP e zbehu projektin dhe nuk u shënuan hapa, ndonëse, projekti i Hab-it u bë, disa punime paraprake gjeologjike filluan në Seman, u ndërprenë.

Tani në kuadrin e krizës së krijuar dhe për hir të së vërtetës SHBA-të edhe para krizës, presidenti Trump ka insistuar me të madhe që Europa të shkëputet nga varësia e gazit rus dhe i gatshëm të furnizojë me LNG. Presidentin u zotua se këtë vit do të furnizojë Europën me 16 miliardë m3 gaz, gazi i lëngët është 1/600 në raport me të gazifikuar. Kjo qeveri që nuk ka asnjë koncept përveç kleptokracisë pse nuk bëri asnjë progres në gazifikimin e vendit në shtrirjen e rrjetit, kishte oferta jo një, por disa, për këtë proces. Sepse kompanitë importuese të gazit diktojnë me zarfe politikat e tyre dhe shumica e tyre e marrin nga Rusia. Qeveria, në vend që të mendonte njëherë se ky gaz që vinte me tren nga Gazpromi, tani po na vjen nga TAP dhe hajde të përgatitemi për përdorimin e tij. Ishte një gjë shumë e madhe. Do kurseje miliarda këh energji që përdoret për gatime ngrohjet etj, etj. Por zarfet e kompanive të gazit nuk lejonin. Dhe ne jemi vend pranë gazit pa gaz, sepse kështu do qeveria, kështu i leverdis asaj.

Rikthehemi tek LNG, madje dëgjova dhe presidentin ekzekutiv të fliste.

Por qeveria t’i afrojë facilitete në rast se ata duan të ndërtojnë një HAB janë të mirëpritur. Shqipëria bëhet vetëm më e rëndësishme. Pastaj do mundet të përdoret TAP për atë qëllim nga Italia ajo është punë tjetër se ajo është çështje e konsorciumit por ne siç kishim projekt Katarin ne mund të insistojmë në një projekt me SHBA-të. Për barge-t nuk jam kundër në parim sepse mungesa e energjisë është çmimi më i lartë i saj.

Por të dyndësh Vlorën me barge mazuti rrezikon të kryesh një krim të shëmtuar mjedisor dhe të largosh turistët nga Vlora. Ndaj dhe barge-t janë vendosur jo në vendin e duhur. Ky mburret se po e lumturon Vlorën, por harron se ajo është pjesë e sistemit energjetik. Barge-t nuk them që mos ftohen, ndonëse kostoja me prodhimit të energjisë me to është më e larta, por Vlora kërcënohen pasi siç më thonë ato po funksionojnë me mazut. Dhe të ofrosh në gjirin e Vlorës anije që funksionojnë me mazut është një problem i madh.

Së fundi për ta mbyllur këtë ekspoze. Shqipëria dhe Kosova janë dy vende që në rast se vendosin sistemin unik të komandimit të sistemeve energjetike, në rast se ndërtojnë trurin digjital të sistemit të komandimit, respektivisht kursejnë nga 20% të energjisë. Në funksion të kësaj u ndërtua linja e tensionit të lartë Tiranë – Prishtinë 400 kilovolt, në funksion të kësaj kryesisht. E bllokoi Vuçiç për vite të tëra nuk e lejonte, deri sa Angela Merkel i tha “po vazhdove të shkëpusim nga sistemi evropian i transmetimit”. Atëherë u detyrua të tërhiqet. Në si çdo gjë, qeveria luan me falsitetin e fasadën. Në rast se ne vendosim një tru, komandë e cila komandon si portat e digave ashtu dhe furrat e TEC-ve të Kosovës, për shkak të diferencave, për shkak të prodhimit natën ditën etj, secili vend kursen të paktën 20% të energjisë që harxhon. Por këta kanë mbetur të abetarja. Së fundi firmosën një marrëveshje për abetaren të vënë në jetë që në vitin 2011. Pra falsitet dhe mashtrime.

Këto desha të theksoj dhe duke e mbyllur unë mendoj se kriza merr përgjigje jo me rritje çmimesh, kriza merr përgjigjen më të mirë me menaxhim të mirë, me vendosjen para përgjegjësisë të të gjitha abuzimeve që janë bërë. Kriza afatmesme afatgjatë merr përgjigjen më të mirë në Shqipëri, më shumë se çdo vend tjetër. Me diversifikimin e prodhimit të energjisë. Është verbëri mjedisore ideja për të ndërtuar digën e madhe në Skavicë. Është absolutisht enveriste, vetëm se në atë kohë kur nuk ekzistonin turbinat e erës apo parqet solare, ishin në hapat e tyre të para. Dhe natyrisht gazi digjej i tëri në Cakran se nuk lejonin të huajt që të vinin të na e fiknin. Por sot që janë gjithë këto burime të kërkosh zgjidhje duke përmbytur gjysmën e Dibrës, është krimi më i shëmtuar mjedisor që mund të kryesh dhe nuk bën gjë tjetër vetëm se përqendrohesh përsëri në një drejtim dhe jo në shumësinë e potencialeve që ekzistojnë në Shqipëri. Diversifikimi i energjisë do mbetet për ne përparësi absolute, çmimi do rikthehet në ato nivele me të cilin nuk ka të humbur.

Rritja e çmimeve të energjisë për bizneset më shumë se për konsumatorët, është një akt jo miqësor ndaj biznesit dhe ajo do të marrë fund. Shqipëria për arsyet që unë numërova më sipër do të jetë vend, ndër më atraktivë për bizneset e huaja ndër të tjera për çmimin e saj energjetik.

Ju falënderoj për vëmendjen!

Leave a Reply

Your email address will not be published.