Rama për mediat gjermane : Nuk i besoj raportet që ju bëni mbi korrupsionin….

Raportet ndërkombëtare që tregojnë nivelin e shtuar të korrupsionit janë të pabesueshme sipas Edi Ramës. Në një intervistë për mediat gjermane, Rama u shpreh se Shqipëria ka bërë përparime, ndaj dhe kërkojë çeljen e negociatave. I pyetur mbi Ballkanin e Hapur dhe qëndrimet e Serbisë mbi luftën në Ukrainë, Rama u pohoi se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vazhdojë sepse Serbia po ndryshon orientim.

Edi Rama ka folur për mediat gjermane mbi procesin e Integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian por edhe për zhvillimet në Rajon. I pyetur nga gazetarët e gazetës Ëelt, se Shqipëria ka rënë ndër vendet e fundit për Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, Rama u shpreh se nuk i beson këto raporte, duke pohuar se reformat po vazhdojnë.

Nuk i besoj kësaj transparence, sido që të jetë, asnjë sekondë. Ne kemi bërë kaq shumë përparim. Vetëm një shembull: Shqipëria ka dixhitalizuar tashmë 95 për qind të shërbimeve të saj. Kur u futa në politikë, asnjë shërbim nuk menaxhohej në mënyrë dixhitale. Njerëzit duhej të qëndronin në radhë për orë të tëra për të marrë një dokument. Gjithçka ishte e korruptuar. Si ka mundësi që kjo ecuri të mos përmirësojë renditjen tonë? Le të mos harrojmë edhe reformën tonë në drejtësi’, – është shprehur Rama për gazetën gjermane.

Borxhet e BE dhe financat e dobëta të Shqipërisë janë një tjetër argument i ngritur nga media gjermane përball kryeministrit, si arsye për vonesat e procesit të Integrimit në Shqipëri, por në këtë kuadër Rama theksoi se BE është si një njeri me plagë hapur dhe neglizhenca ndaj Ballkanit Perëndimor do të kishte pasoja fatale

‘Është e rrezikshme për BE-në që vendet e Ballkanit të mos jenë anëtare. BE-ja do të ishte më e sigurt dhe më e fortë me to si pjesë e saj. Për momentin, BE-ja është i vetmi realitet gjeografik me një kufi të brendshëm, është si një njeri që vjen rrotull me plagën hapur. Kjo e bën të dobët dhe i duhet ta mbyllë këtë plagë për të mbrojtur veten’, – ka theksuar Rama.

Sa i përket Ballkanit të hapur, gazetarët e pyesin Ramën se sa larg duhet të shkojë Serbia që Shqipëria t’i jap fund bashkëpunimit me të, duke i evidentuar qëndrimet e Serbisë për të mos dënuar pushtimin e Ukrainës. Por kryeministri Rama u shpreh se Serbia po ndryshon qëndrim dhe nuk është e orientuar drejt Rusisë.

‘Serbia nuk po shkon drejt Rusisë. Përkundrazi, në mënyrë të çuditshme, ajo mori anën e Perëndimit duke dënuar agresionin rus në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Është një shenjë shumë e mirë që Serbia votoi tre herë kundër Rusisë. Nëse Serbia do të kishte bërë të kundërtën, do të ishte një goditje e rëndë për bashkëpunimin tonë’,- ka deklaruar Rama.

Në këtë kuadër, Edi Rama u shpreh se Rajoni është i pambrojtur sepse ndikimi rus është shumë i fortë, jo në Shqipëri, por në Bosnje, Mal të Zi dhe veçanërisht në Serbi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.