Kryemadhi : Basha i veshur me kostumin e kryeopozitarit shiti kauzat e shqiptarëve të përgatitemi për…

Kryemadhi theksoi se Basha i veshur me kostumin e kryeopozitarit shiti kauzat e shqiptarëve si një gjë e lirë në tregun e gjësë së gjallë. Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, deklaroi gjatë një takimi me delegatët e Tiranës të Konventës Kombëtare se Lulzim Basha shiti zgjedhjet e 25 prillit.

Më tej ajo theksoi se tashmë është koha për t’u përgatitur për zgjedhjet lokale, ato të 2023. “Është një kënaqësi e veçantë për mua, që të vijmë në këtë takim së bashku, gati 1 vit prej zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit dhe pas një periudhe të gjatë, disa mujore reflektimi për situatën e krijuar nga ato zgjedhje.

Jemi shumë herë më të qartë sot, për tradhëtinë e madhe që pësoi opozitarizmi shqiptar, nga ai që ndonëse i veshur me kostumin e kryeopozitarit të paepur, në fakt kishte shitur kauzat, e kishte tregtuar shpresën për ndryshimin e Shqipërisë dhe qeverisjes së saj, sikur të ishte besimi i shqiptarëve, një gjë që mund të shitej “lirë” në tregun e gjësë së gjallë.

E megjithëse prezenca në parlament është sot modeste, LSI paraqet me peshën e saj elektorale të 25 Prillit, një superfuqi përcaktuese për drejtimin e Bashkive dhe Këshillave Bashkikë në zgjedhjet e radhës lokale, që do të mbahen 1 vit prej sot.

Ndaj e kam thirrur këtë mbledhje me ju si delegatë të LSI në Bashkinë Tiranë, sepse është përgjegjësia jonë, duke vendosur në funksion edhe mësimet e së shkuarës, pra të 25 Prillit 2021 dhe 6 Marsit 2022, për të nisur që sot përgatitjet tona për zgjedhjet lokale që po vijnë.”-tha Kryemadhi.

Leave a Reply

Your email address will not be published.