Zbardhet debati me dyer të mbyllura në PD./“Pusho se po flet Doktori!”, Berisha: Do mbroj dinjitetin e partisë time…

Sali Berisha zhvilloi dje për herë të parë në këtë legjislaturë mbledhje me Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike.

Megjithatë, kjo nuk ishte një nga ato mbledhjet që duhet të mbahet mend nga demokratët. Siç kishte deklaruar edhe më herët në daljet publike kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, që në momentin që Berisha u ul në karrigen që i ishte rezervuar nga deputetët, i kujtoi liderit historik vendimin e 9 shtatorit të Lulzim Bashës dhe më pas faktin se Berisha nuk është regjistruar në Parlament si pjesë e Grupit Parlamentar të PD-së. Qëndrimi i Alibeajt është kontestuar nga deputetët Bylykbashi, Vokshi, Noka e Shehu.

Sipas burimeve të gazetës “Panorama.al”, Bylykbashi i ka thënë Alibeajt se vendimi i Bashës ka qenë i jashtëligjshëm. Ndërsa deputetët Noka e Vokshi i janë drejtuar Alibeajt duke i thënë se kjo nuk është detyra e tij që të caktojë se kush janë anëtarët e grupit, por se ai vetëm mund të moderojë diskutimin. Ndërkohë, teksa mori fjalën, Berisha u shpreh se Alibeaj nuk njeh realitetin dhe se i kujtoi që Basha, i cili mori vendimin për ta përjashtuar, e pësoi me dorëheqjen.

Ndërkohë ish-Kryeministri tha se ndodhet në PD për të mbrojtur dinjitetin dhe sovranitetin e partisë së tij. Ndërkohë, gjatë bashkëbisedimit të Alibeajt dhe Berishës, nuk kanë munguar ndërhyrjet e deputetëve, ku njëra palë i dilte në mbrojtje Berishës dhe pala tjetër Alibeajt. Ndërkohë tërhoqi vëmendjen e ligjvënësve demokratë ndërhyrja e deputetit Sula, i cili i tha Berishës që t’u kërkonte deputetëve që e mbështesnin që të mos ngrinin zërin në mbledhje dhe të mos i dilnin në mbrojtje.

Megjithatë, mbledhjen e ndërpreu vetë Alibeaj, i cili 15 minuta para nisjes së seancës plenare, ndërpreu mbledhjen, duke u larguar me arsyetimin se duhet të ishin në seancën plenare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *