Andi Bushati : Vetem Berisha e ka ne dore zgjidhjen e cdo situate ne Shqiperi…..

Ndonëse pjesa dërrmuese e opinionit opozitar po pret me padurim dorëheqjen e Lulzim Bashës, largimi i mundshëm i atij që “de jure” e drejtoi për dy mandate PD, nuk i jep automatikisht fund krizës brenda saj. Hasmëria e thellë mes demokratëve të ndarë në dy grupe, hunjtë, flaka dhe gazi lotësjellës i 9 janarit, helmi i derdhur në Facebook, kanë hapur plagë që nuk thahen lehtë. Por, hendeku është edhe më i madh sesa kaq. Ai shtrihet nga spastrimi i gjërë që Basha (natyrisht me bekimin e Berishës) i bëri atyre që e sfidonin, tek zëvendësimi i meritokracisë me lakeizëm e deri në degradimin e opozitës në një fjetore gjigande, ku përgjumeshin rezistenca dhe revolta ndaj regjimit.

Për të rivitalizuar këtë trup të sëmurë nuk mjafton as vetëm ikja e një njeriu, as zëvendësimi i tij me një tjetër.
Prandaj, që PD-ja të ketë një shpresë për ringjallje ajo duhet të kalojë nga një proces shumë më i gjatë dhe i vështirë. Fillimisht ajo duhet ta kthejë filmin në datën prej nga nisi kjo krizë dhe të bëjë një rishikim të vendimeve që u morën prej 9 shtatorit e më pas. Akti i parë i një ribashkimi duhet të jetë një rezolutë që dënon shpalljen ‘non grata’ të Sali Berishës, duke anulluar vendimet e përjashtimit të tij nga grupi dhe partia, duke e denoncuar atë si një manovër të fëlliqur lobingu të pushtetit. Merret me mend lehtë se kjo nuk është e kollajtë për të gjithë ata deputetë që gjatë këtyre kohëve kanë shprehur një dashuri më të madhe për Uashingtonin sesa për fshatin ku kanë lindur. Por, në fund të fundit, ata janë të dënuar ti binden elektoratit të 6 marsit, i cili tregoi me votë se nuk beson në atë dokument që e kishte paralajmëruar Edi Rama këtu e dy vite e gjysëm më parë.

Një gjë e tillë do të qetësonte jo vetëm Berishën, por edhe gjithë mbështetësit e tij që rezultuan shumë më shumë sesa arrinim ta mendonin një pjesë nga ne dhe do të kontribuonte për të pajtuar dy grupimet e demokratëve. Vetëm pas kësaj do duhej të hidhej në diskutim hapi i dytë, që po e artikulojnë në mënyrë të parakohshme disa deputetë të cilët janë për një parti pa Bashën dhe pa Berishën. Ku format, “pa njërin dhe pa tjetrin”, do të mund të diskutohej në një mjedis më të qetë, ku grupi i “Foltores” nuk do të kishte më frikën se dikush i rekrutuar nga ambasada do të përpiqej ta kthente filmin mbrapsht duke ndërmarrë të njëjtat akte personale si Basha.

Po në këtë pikë, nëse Berisha garantohet se partia e tij nuk e flak më tej si “non grata”, a do të pranonte ai të tërhiqej nga ambicia e shpallur për të garuar për kreun e PD-së? Po të dëgjosh argumentat e tanishëm të foltorisërve ata nuk e pranojnë këtë logjikë. Ata e quajnë herezi zbrapsjen e liderit historik pasi ai është shumicë dhe pretendojnë se në demokraci pajtimi dhe konsensusi arrihen vetëm përmes mekanizmit të votës.

Po, në fakt, kjo është e vërtetë, por në kushtet ku gjendet sot PD-ja, ky mekanizëm nuk mund ta luajë këtë rol. Sepse, në një hapsirë demokratike, vota do dhe kushtet e saj për të qenë e drejtë, reale dhe përfaqësuese. Në këtë moment, kurdo që të votohej, çdo kush e di se fitorja do të qe e sigurtë për Sali Berishën. Sepse PD-ja në 30 vjet është mbrujtur dhe ushqyer me kultin e individit, se pesha, hija dhe pushteti i Berishës kanë qenë në ato përmasa, sa kanë lënë në hije ç’do kënd tjetër. Vetëm një kohë mjaftueshmërisht e gjatë, kur individualitete të reja apo të rilinduara të kenë mundësi të bëjnë beteja politike, të mbajnë qëndrime dhe të kalisin presonalitetin e tyre, mund ta bëjë reale një garë për kreun e ardhshëm të PD-së.

Berisha nuk duhet të nxitojë të kapë karrigen edhe për një arsye tjetër. Pasi, nëse ajo pjesë që nuk e do, i qënndron larg dhe nuk përfshihet, ajo do ia bëjë edhe më të vështirë një rezultat të kënaqshëm në zgjedhjet lokale që do të mbahen diçka më shumë se pas një viti. Po të kujtojmë se në 6 mars të dyja PD-të bashkë morrën gati gjysmat e votave që morën së bashku në 25 prill, kuptohet lehtë se një parti e rithemeluar nuk e ka luksin të humbasë askënd. Prandaj, nëse Berisha fiton, por nuk unifikon, ai do të pësojë një disfatë tjetër elektorale që do ta zhysi opozitën në krizë edhe më të thellë.

Duke pasur parasysh këtë edhe doktori duhet të bëjë hapa pas. Ai jo vetëm nuk mund ta konsiderojë të panegociueshme axhendën që vendosi kuvendi i 11 dhjetorit që u mbajt në stadium. Jo vetëm duhet të përpilojë një kalendar të ri politik me vëllezërit qrmiq të deridjeshëm, por mbi të gjitha ai duhet të ketë forcën të tërhiqet nga ambica për tu ribërë sa më shpejt kryetar.

Po atëherë, nëse Basha bie, nëse Berisha nuk zë vendin e tij, si do të drejtohet PD – mund të pyesë dikush? Një përgjigje simpliste të kësaj dileme e dha fitorja e 6 marsit në Shkodër, ku triumfoi grupi që organizoi primare dhe ku komisioni i rithemelimit nuk kishte kryetar “de facto”. Ky duhet të jetë edhe modeli i PD-së së nesërme, madje për një kohë të gjatë. Një parti e udhëhequr në mënyrë kolegjale, preokupimi i së cilës të jetë demokratizimi dhe jo riliderizimi. Ajo duhet të jetë e hapur duke ftuar së pari të gjithë të përjashtuarit dhe duke lënë në ajër mirazhin se ka plot vende të lira edhe për prurje të reja. Bagazhi i mërzisë, zhgënjimit, tradhëtisë që ka ngjallur rilindja, nuk ka pse të mos derdhet një në një opozitë të ribashkuar dhe të ripërtrirë.

Ky proces mund të zgjasi edhe mbi dy vjet sepse deri në fund të këtij mandati, PD nuk ka nevojë, as për një lider të fortë, as për një figurë simbol, asaj i volit më tepër uniteti. Nuk do të ishte aspak mëkat që lideri i ardhshëm të mund të zgjidhej në prag të zgjedhjeve të përgjithshme. Pra, ndonëse jam shumë skeptik se kjo parti është e aftë të marrë këtë rrugë, ku gjithsecili duhet të sakrifikojë shumë nga vetja, nuk shoh një zgjidhje tjetër për shpëtimin e saj, përpos kësaj axhende me katër pika.

1)Basha të largohet sa më parë. 2) Në themel të ribashkimit të jetë një rezolutë për dënimin e shpalljes “non grata”, që denoncon manovrat e regjimit dhe garanton shumicën berishiste. 3) Berisha të heqë dorë nga ambicia për të kapur karrigen e kryetarit, menjëherë sapo ajo të mbetet e lirë. 4) PD-ja të udhëhiqet për një kohë të gjatë, në mënyrë kolegjale si e vetmja mënyrë që mund ti lejojë zgjerimin dhe ribashkimin. Pasi, përndryshe, nëse fiton mendësia e revanshit të njërit grup mbi tjetrin, kjo parti do të shkojë drejt vetëasgjesimit të sigurtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *