Cim Peka : Ja se si “Reforma ne drejtesi ” nuk eshte asgje me shum se sa nje shtyse nga Soros dhe Basha thjeshte po ben…..

Reforma në Drejtësi ishte një projekt që lindi rrugës. Ajo nuk ishte pjesë as e premtimeve elektorale të Ramës në 2013 dhe as pjesë e programit qeverisës të prezantuar në Parlamentin e ri të shtatorit 2013. Siç doli më vonë, megjithëse jo pjesë e projektit të të ashtuquajtur ‘Rilindja’ e Edi Ramës, ishte pjesë e projektit dhe planit të Fondacionit ‘Soros’.

Kjo u kuptua vetëm më vonë, kur reforma u hartua dhe u zbatua nga ekspertet e këtij Fondacioni, por edhe nga publikimi i dokumenteve të brendshme të tij. Në shtator të vitit 2015, një grup deputetesh të Partisë Socialiste morën një iniciative ligjore për një reformim të thellë të sistemit të drejtësisë, i cili fillonte me ndryshimet kushtetuese. Interesante dhe ironike ishte fakti që së paku tre nga deputetet socialistë iniciues të kësaj reforme, më vonë do të linin mandatin e deputetit për shkak të të kaluarës së tyre kriminale.

Drafti i parë i këtij projekti për ndryshimet kushtetuese ishte përpjekje e parë për kapjen totale të sistemit nga Partia në pushtet. Nen presionin e Sali Berishës, Partia Demokratike e dërgoi në Komisionin e Venecias. Ecejaket e draftit midis Parlamentit dhe Komisionit të Venecias zgjatën disa muaj. Presioni i madh ndërkombëtar, edhe në fushën teknike dhe politike ishte jashtëzakonisht i madh mbi Edi Ramën.

Jo vetëm vërejtjet dhe kundërshtitë teknike të Komisionit të Venecias, por edhe ndërhyrja politike direkte e Kancelares gjermane Angela Merkel, dhe Asistent Sekretares së Shtetit, Victoria Neuland detyruan Ramën të bënte tërheqje duke sjelle draftin në parametra të pranueshëm, megjithëse jo perfekt.

Çuditërisht, pas konkludimit të draftit afër propozimeve të opozitës, Lulzim Basha hezitonte ta votonte në parlament. U desh presioni i Sali Berishës në prapavije, dhe i Ilir Metës si Kryetar Parlamenti dhe pjesë e koalicionit qeverisës që detyruan Ramën dhe Bashën ta votonin.

Ndryshimet Kushtetuese duhej të shoqëroheshin dhe pasoheshin me ligje organike dhe procedurale, në mënyrë që të realizohej reforma. Një nga kushtet e reformës ishte që ekspertët që e kishin hartuar atë, nuk do të duhej të ishin pjese e institucioneve të reja të drejtësisë.

Ndodhi e kundërta. Njerëzit e Edi Ramës dhe ekspertët e Fondacionit ‘Soros’ morën drejtimin e këtyre institucioneve në mënyrë të kundërligjshme dhe në konflikt të pastër interesi. Shtatë ligjet e famshme të Reformës në Drejtësi, të cilat mes të tjerash parashikonin institucionet e reja, por edhe mekanizmin e Vetting-ut në Sistemin e ri të Drejtësisë u bojkotuan në mënyrë të pashpjegueshme nga Lulzim Basha.

Bojkoti i Bashës i dha dorë të lirë Edi Ramës të bënte ç’të donte. Dhe ajo çfarë bëri ai ishte e thjeshtë: ato që nuk i arriti me ndryshimet kushtetuese për të kapur sistemin, e arriti me anë të këtyre shtatë ligjeve, duke zhbërë konsensusin e arritur me ndryshimet kushtetuese, dhe duke kapur tërësisht institucionet e reja.

Lulzim Basha refuzoi të merrte pjesë në miratimin e këtyre reformave dhe ligjeve me argumentin se ‘këto reforma po zbatoheshin nga një grup i mirë organizuar kriminal, në përbërje të të cilit ishin shqiptare dhe ndërkombëtarë’. Argumente te cilat i përdori edhe në fjalimet e tij në Çadrën e famshme të vitit 2017. Ditët e fundit në media ka qarkulluar një video ku Basha me zë dhe figure ngre pretendimet e tilla.

E shikuar në retrospektive, bojkotimi nga ana e tij e kësaj pjese të Reformës në Drejtësi, ngjan si dy pika uji me bojkotin që i bëri Reformës Territoriale dhe më vonë zgjedhjeve lokale të vitit 2019. Në të tre rastet, bojkoti i tij i la hapësirë Ramës që të kapte gjithçka që donte.

Kapja e institucioneve të reja të drejtësisë nuk mund të realizohej pa kapur institucionet dhe të gjithë sistemin e Vetting-ut. Ajo çfarë ndodhi me Vetting-un ishte kjo: Engjëll Agaçi si mëkëmbës i Edi Ramës hartoi dy lista për gjyqtarët dhe prokurorët. Një listë të zezë me emrat që duhej të digjeshin, dhe një listë të bardhe me emrat që duhej të kalonin. Kriteri në hartimin e këtyre listave ishte i thjeshtë: gjyqtaret dhe prokurorët që ishin të besuarit e Ramës dhe Agaçit do të kualifikoheshin, të tjerët jo.

Në listën e zezë kishte dy kategori: një pjesë e vogël duhej të digjeshin për shkak të luftës së brendshme brenda mazhorancës, kujtojmë këtu të ashtuquajturit njerëz të Fatmir Xhafajt, si dhe ata qe konsideroheshin të PD, dmth të Berishës.

Në pamundësi për të identifikuar një për një se kush janë të Berishës, ideatorët e këtij spastrimi i ranë shkurt: panë origjinën gjeografike të tyre. Kushdo që vinte nga Veriu i vendit u skualifikua. Të gjithë ishin nga rajone që konsideroheshin si bastione elektorale të Partisë Demokratike dhe sigurisht të Sali Berishës. Rezultati është sa i frikshëm aq edhe i turpshëm: 91.82 e të skualifikuarve janë nga veriu i vendit, a thua se korrupsioni është lokal dhe krahinor.

Të njëjtën skemë përdoren edhe me procesin e rekrutimeve. Nga një analizë e thjeshtë e prokurorëve të SPAK, gjyqtarëve të Gjykatës Speciale dhe mbi të gjitha e hetuesve të rinj të BKH-së, rezulton se pothuajse të gjithë vijnë nga familje militante të Partisë Socialiste. Nga të gjithë pjesëtarët e trupës së re hetuese, vetëm 3 persona besohet se nuk janë votues të Partisë Socialistë.

E njëjta gjë edhe me projektin e shkollimit dhe rekrutimit nëpërmjet Shkollës së Magjistraturës. Prokurorët dhe Gjyqtarët e rinj, vijnë nga Fondacioni ‘Qemal Stafa’. Një fondacion ky i krijuar nga Partia Socialiste dhe i drejtuar për shumë vite nga Samir Tahiri, tashmë i dënuar nga Gjykata për përfshirjen e tij në trafikun ndërkombëtar të drogës.

Pas gjithë këtyre, qershia mbi tortë erdhi javës që shkoi kur Lulzim Basha, në kundërshtim me qëndrimet e tij ndër vite; në një nonsens ligjor dhe piruete politike, vendosi të rreshtohej me Edi Ramën në ndryshimet e reja kushtetuese duke bërë të mundur zgjatjen e mandatit të organeve të Vetting-ut. Kushtetuta ka parashikuar qartë se me mbarimin e mandatit të këtyre institucioneve nuk mbaron procesi i Vetting-ut. Ai thjeshtë transferohet tek Gjykatat e larta të vendit. Prandaj, shtyrja e afatit nuk ka të bëjë me fatin e vetting-ut, por me lënien e tij në dorë të të njëjtës trupë dhe persona që kanë drejtuar dhe zbatuar inkuizicionin në 5 vitet e fundit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.