Berisha e kryeu detyren e tij/ Leksioni i demokracisë që nisi nga ‘Foltorja’…

Demokratët zienin. Radha për të votuar kandidatët që do të garojnë në zgjedhjet e 6 marsit ishte e pazakontë. Pjesëmarrja tregonte se jo vetëm demokratët, por të gjithë të majtët dhe të tjerë, kërkojnë që zëri i tyre të dëgjohet. Duan ta kenë ata aksesin për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.

Dhe kjo s’do kishte ndodhur në rast se nuk do kishte nisur foltorja. Primaret ishin një leksion, ndoshta ndër më të vlefshmit që kemi marrë në këto 31 vite. Duhej të kishte ndodhur shumë kohë më parë. Sot  30 janari duket si fillimi i fundit i një tranzicioni të gjatë.

Dhe natyrisht ky lloj mentaliteti s’kishte se nga vinte ndryshe përveç se nga Partia Demokratike. Nga e majta, e sidomos nga Edi Rama është si të rrahësh ujë në hava. Ai nuk kërkon të bëjë shtet. I panginjur, ai kërkon çdo pushtet. Sa më shumë tkurr demokracinë, aq më shumë shton çifligun e tij të sejmenëve.

Me këtë sistem, ai s’mund të emërojë lloj lloj banditi dhe servili në oborrin e tij. Demokracia asnjëherë nuk i ka shërbyer hajdutëve, ajo është vendimmarrje e njerëzve të lirë. Dhe kjo vendimmarrje nuk mund të bëhet me elektorat rreshti sikundër ka vepruar Edi Rama.

Primaret dhe zgjedhjet direkte nuk i prisnim dot as nga Basha. S’e ka atë mentalitet, nuk e ka atë stof. Ai kërkon të zhvillojë zgjedhje me Jeminin apo Gazin  që i ka transformuar në ulsinj e taulantë. Tentoi ta shndërrojë PD-në në një fotokopje të shëmtuar të rilindjes së Edi Ramës. Harroi se është në krye të një partie që si themel ka njerëzit e lirë.

Pinjollët e atyre që u ngritën kundër regjimit komunist, s’kanë se si të pajtohen me nepotizmin, mbylljen e hapësirave, pazaret, me qëllim për t’i zgjatur jetën regjimit aktual. Ajo parti u themelua për të mposhtur regjime. Prandaj anëtarësia e saj është kapriçioze e s’ta fal dekikun. Diçka që Basha nuk ka për ta kuptuar kurrë.

S’na mbetet vetëm se të shpresojmë se ky sistem vlerash, i zgjedhjes direkt nga anëtarësia të aplikohet me gjerësisht.  Ata që kërkojnë votën e anëtarësisë dhe më pas të qytetarëve të jenë të detyruar dyfish që mos kthehen në kukulla të pushtetit apo kryetarit të radhës.

Që të zhduken nga skena politike, kriminelë, apo uzurpatorë pushtetesh me zarfa nën dorë. Ky është vettingu më i mirë që mund t’i bëhet politikës, jo pallavrat e opozitës fasadë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *