Berisha: Yuri Kim kalon nga sekretare ideologjike e PS, në zëdhënëse e Lul Bravës…..

Lideri historik i demokratëve, Sali Berisha kritikon sërish ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.

Nga Patosi ku mori pjesë në festën demokratëve për 31-vjetorin e themelimit të degës së PD, Berisha tha se Kim herë shfaqet si sekretare ideologjike e PS dhe herë si zëdhënëse e deputetit Lulzim Basha.

“Në një intervistë para 10 ditësh, zonja Kim, e cila siç e shihni kalon nga sekretare ideologjike e PS, në zëdhënëse të Lul Bravës, sipas klimës, po mburrej me investimet amerikane gjatë kohës së saj. Dua t’i them, ne këtu jemi pro amerikanë më shumë se gjithë të tjerët”, u shpreh Berisha.

Ish-kryeministri solli në vëmendje fluksin e investimeve amerikane gjatë qeverisjes së tij, duke nisur nga Bechtel e cila ndërtoi Rrugën e Kombit.

Berisha tha se Bechtel u shpall fituese në tender ndërkombëtar, ndërsa i përcolli një mesazh ambasadores amerikane për të mos inkurajuar prokurimet direkte, të cilat njihen botërisht si korruptive.

“Ne mirëpresim me krenari dhe kënaqësi të madhe investitorët amerikanë. Por, dua të theksoj, kompania më e fuqishme amerikane që ka punuar në Shqipëri ishte Bechtel. Ajo ndërtoi një nga projektet më kryesore të PD dhe qeverisë së saj. Bechtel fitoi Rrugën e Kombit me një tender ndërkombëtar të shpallur në Londër. Në të cilën morën pjesë 7 kompani gjigante europiane dhe botërore. Juria përbëhej nga personalitete të autostratave të Britanisë së Madhe, tjetri i SHBA, tjetri i Mbretërisë së Holandës. Bechtel fitoi tenderin, 6 kompanitë e tjera nuk patën asnjë ankesë. Zonjë, mos inkurajoni prokurimet direkte në këtë vend se pavarësisht nga vendi që ato vijnë për difinicion në manualet e luftës kundër korrupsionit, prokurimet direkte janë korruptive”, tha Berisha.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *